Tronditi sigurinë e Rinasit, plani që në 2020, Talo Çela në “Sky”: Do iki në Brazil, s’rri kot këtu, plus e këto vrasjet e leshit

Talo Çela, një nga njerëzit më të kërkuar të Policisë së Shtetit, strukturave të Antiterrorit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, besohet shumë se është larguar nga Shqipëria, duke u vendosur në një vend të Amerikës Latine, me identitet të ndryshuar.

Njeriu që mes anëtarëve të grupit thirrej “Moma”, “Katnari” dhe më pas mori nofkën “Dhelpra”, për shkak të ikjes dhe fshehjes me shumë sukses, duke sjellë dështimin e dhjetëra operacioneve policore, del në komunikimet e “Sky” se po përgatiste largimin e tij nga vendi, duke shfaqur mendim se do vendosej në Brazil me emër tjetër.

“…do iki në Brazil, andej me emër tjetër po doli prova këtu për Rinasin, s’kam ku rri më kot këtu në Shqipëri. Këtu merr 20 vjet, plus dhe këto vrasjet e leshit…”-thotë Talo Çela në “Sky”.

Nga ky komunikim kupton se Talo Çela i ndruhej një dënimi tek çështja e “Rinasit” dhe duke ndjerë presionin e madh nga instancat shtetërore, ai mendon për një plan ikje përfundimtare nga Shqipëria.

Biseda për planin e ikjes së Talos në Brazil zhvillohen në muajin 14 korrik 2020, gati 1 vit e 3 muaj nga supergrabitja e miliona eurove të kryer brenda barkut të avionit të linjës Tiranë-Vjenë në aeroportin e Rinasit.

Ngjarja që tronditi sistemin bankar dhe sigurinë kombëtare, aq sa bëri të mblidhet me urgjencë Komisioni i Sigurisë dhe Aeroporti i Rinasit të rrethohet nga Policia Ushtarake dhe Forcat “Komando” të Ushtrisë , ndodhi në muajin Prill 2019.

Pas grabitjes zëdhënësja e “Austrian Arlines”, Tanja Gruber deklaroi në atë periudhë për agjencinë e lajmeve AFP-ë, se kjo kompani ajrore nuk do të kryejë më transferime të parave cash nga Tirana drejt Vjenës

Talo Çela, ishte shpallur në kërkim nga Krimet e Rënda pasi Alkond Bengasi, njëri nga të arrestuarit fillimisht kishte pranuar të bashkëpunonte dhe tregonte çfarë dinte për ngjarjen.

Për policinë Talo Çela ishte organizatori i kësaj super-grabitje së bashku me vëllezërit Çala dhe Gramoz Murataj. Por nga ana tjetër vetë Talo Çela në komunikimet e “Sky” pranon se ishte njëri nga kryesorët e grabitjes dhe shoferi i furgonit të bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Por njeriu më i kërkuar Talo Çela shprehet, se shteti nuk ka prova kundër tij për këtë ngjarje. Në 7 janar 2021 Talo Çela i shkruan shtetases Mariola Mandit duke i thënë se Alkond Bengasi ka kundërshtuar çdo akuzë kundra nesh.

”…spiuni e tërhoqi akuzën për çështjen e Rinasit dhe ka mohuar çdo akuzë kundra nesh…”-i shkruan Talo Çela.

Një ditë më pas në 8 janar 2020, komunikon me Mariola Mandin duke i thënë kësaj të fundit se spiuni i Durrësit, ku i referohet Klevis Allës, ka qënë në një dhomë me atë të Rinasit, Alkond Bengasin. Në këtë bisedë data e komunikimit nuk korrespondon pasi Klevis Alla është arrestuar në muajin Maj 2020.

Sipas bisedës Alkond Bengasi e ka kthyer 360 gradë deklarimin e tij. Gjithashtu nga biseda e zhvilluar ndërmjet Talo Çelës dhe Mariola Mandit, evidentohet se vëllezërit Çala, kanë biseduar me të dy spiunët, Alkond Bengasi dhe Klevis Alla.

Më tej në 14 korrik 2020 Talo Çela ka biseduar me një person tjetër duke i thënë se:”…shpreson mos të ketë prova për Rinasin…”.

Ndërkohë në 28 korrik 2020 Talo Çela bisedon me një person tjetër, të cilit i shkruan se do largohet në Brazil, ku do marrë identitet tjetër nëse dalin prova për përfshirjen e tij në grabitjet e Rinasit.

Kjo pasi sipas tij këtu në Shqipëri mund të dënohet me 20 vjet burgim. Gjithashtu Talo Çela shprehet i shqetësuar edhe për vrasjet e ndodhura.

“…do iki në Brazil, andej me emër tjetër po doli prova këtu për Rinasin, s’kam ku rrij më kot këtu në Shqipëri. Këtu merr 20 vjet, plus dhe këto vrasjet e leshit…”-thotë Talo Çela në “Sky”.

Për ngjarjen e grabitjes spektakolare të 4.6 milionë euro në mes të aeroportit kombëtar të Rinasit, në prill të vitit 2019, Gjykata e Posaçme dha vendimin në muajin Tetor 2023 duke dënuar me 122 vite burgim për 7 të pandehurit e grupit kriminal.

Numri dy i bandës, Klement Çala do të qëndrojë pas hekurave për 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët të arrestuar për grabitjen: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, trupa gjykuese dha nga 17 vite burg për secilin.

Dënimet janë më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite.

Ndërsa i akuzuari si pjesë e bandës është edhe Talo Çela, por gjykimi për të vijon të jetë i ndarë sepse ai është ende në arrati, duke u zhvilluar në mungesë.

BURIMI: SHQIPTARJA.COM

GAZETAR: ELTON QYNO