Tronditet “Ndrangheta”, 97 të dyshuar, mes tyre ish-politikanë dhe biznesmen

Një operacion i madh anti-mafia, i koduar me emrin “Millennium”, është zhvilluar sot në orët e para të mëngjesit nga Karabinierët e Komandës Provinciale të Reggio Calabria-s, nën drejtimin e Prokurorisë së Antimafias (DDA) të Reggio Calabria-s.

Operacioni synoi zbatimin e tre urdhrave të paraburgimit të lëshuara nga gjyqtari hetues kundër 97 personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete mafioze dhe krime të lidhura me trafikun e drogës, zhvatje dhe korrupsion politik.

Bastisjet u shtrinë në disa qytete italiane, përfshirë Reggio Calabria, Milano, Romë, Verona, Bolonjë, Torino dhe Nuoro. Sipas autoriteteve, hetimi ka zbuluar ekzistencën e një strukture mafioze të organizuar dhe të qëndrueshme që menaxhonte trafikun e drogës në mënyrë monopoliste, nëpërmjet një aleance midis disa prej klaneve më të fuqishme të ‘Ndrangheta-s.

Karabinierët, të mbështetur nga njësitë speciale ROS, skuadrat e helikopterëve, njësitë me qen nuhatës dhe bashkëpunimi ndërkombëtar policor i Interpolit përmes I-CAN (Iniciativa e Koordinuar Kundër Ndrangheta-s), arrestuan dhjetëra persona dhe sekuestruan dy kompani të dyshuara se shërbenin për pastrim parash dhe mbështetje logjistike për aktivitetet e grupit kriminal.

Midis të hetuarve janë edhe emra të njohur të politikës lokale. Ish-këshilltarët rajonalë të Kalabrisë, Sebastiano Romeo (Partia Demokratike) dhe Alessandro Nicolò (dikur i Vëllezërve të Italisë), janë nën hetim në gjendje të lirë. Nicolò ka qenë më parë objekt hetimi në çështjen “Libri i Zi” dhe ndodhet ende në proces gjyqësor. Ndërsa Pasquale Tripodi, një tjetër ish-këshilltar rajonal, është vendosur në arrest shtëpiak, por ndaj tij nuk është aplikuar rrethana rënduese e lidhjes me mafian.

Një nga figurat kyçe të arrestuara është Cosimo Alvaro, i njohur si “Pelliccia”, pjesë e bandës famëkeqe Alvaro nga Sinopoli.

Hetimet zbuluan gjithashtu tentativa për shkëmbime zgjedhore politiko-mafioze, veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet rajonale të vitit 2020 në Kalabri. Megjithatë, sipas burimeve hetimore, asnjë politikan aktual nuk është mes personave ndaj të cilëve është dhënë masa e paraburgimit.

Operacioni “Millennium” konsiderohet një nga më të goditurit vitet e fundit ndaj mafias kalabreze dhe thekson edhe një herë lidhjet e thella midis krimit të organizuar dhe politikës në disa rajone të Italisë.