Lideri paramilitar pro-rus hidhet në erë në Moskë, kërkohej nga Ukraina si bashkëpunëtor i Janukoviçit
Moskë – Një shpërthim i fuqishëm tronditi një bllok apartamentesh luksoze në Moskë, duke vrarë Armen Sarkisyan, një lider paramilitar pro-rus nga Ukraina lindore dhe truprojën e tij.
Bomba shpërtheu në hollin e kompleksit rezidencial “Scarlet Sails” në brigjet e lumit Moskva, në momentin kur Sarkisyan po hynte në ndërtesë, raportojnë mediat ruse.
Sarkisyan, bashkëpunëtor i ish-presidentit ukrainas Janukoviç
Sarkisyan ishte kreu i Federatës së Boksit në Donetsk dhe themelues i batalionit “Arbat”, një grup paramilitar që luftonte krah ushtrisë ruse kundër Ukrainës. Ai kërkohej nga autoritetet e Kievit për krime të kryera gjatë protestave pro-BE-së në Revolucionin e Maidanit në vitin 2014 dhe kishte lidhje të ngushta me ish-presidentin Viktor Janukoviç, i cili u arratis në Rusi pas rënies nga pushteti.
Operacion i Ukrainës? Sulm i stilit të shërbimeve sekrete
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, por shërbimet ruse të sigurisë e kanë cilësuar atë si një vrasje të synuar. Ukraina ka kryer më parë sulme të ngjashme ndaj zyrtarëve rusë dhe ushtarakëve të lartë, duke përdorur shpërthime të sofistikuara për të eliminuar figura kyçe të mbështetjes ruse në luftën kundër Kievit.
Pamjet e publikuara nga agjencitë e lajmeve ruse tregojnë hollin e ndërtesës të dëmtuar rëndë nga shpërthimi, me copa xhami dhe një derë të shkatërruar. Sarkisyan u dërgua në spital në gjendje kritike, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Frikë në Moskë, analistët rusë: “Ukraina po afron sulmet te elita e Kremlinit”
Nëse konfirmohet përfshirja e Ukrainës, ky do të ishte një tjetër operacion i shërbimeve të inteligjencës ukrainase (SBU) thellë brenda territorit rus, duke shkaktuar panik mes elitës ruse dhe një tjetër goditje për FSB-në, e cila ka hasur vështirësi në ndalimin e valës së sulmeve ukrainase.
Sergei Markov, një analist pro-Kremlinit, shkroi në Telegram:
“Ky sulm tregon se terroristët ukrainas po afrohen gjithnjë e më shumë me elitën ruse. Ata tani godasin edhe në komplekse super-luksoze në Moskë.”
Në muajt e fundit, Ukraina ka marrë përgjegjësinë për disa eliminime të profilit të lartë, përfshirë atë të Gjeneral Lejtnant Igor Kirillov, kreut të njësisë ushtarake për armët kimike, biologjike dhe radiologjike, i cili u vra nga një bombë e fshehur në një skuter elektrik në dhjetor 2024.
Shpërthimi në Moskë vjen në një moment kur tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë në nivelin më të lartë, ndërsa Kievi vazhdon të synojë figura kyçe të mbështetjes ushtarake ruse përmes operacioneve të fshehta brenda territorit armik.