Tronditet Mati/ U gjet i pajetë në liqenin e Shkopetit, 23-vjeçari me shenja të rënda në fyt
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Matit, ku është gjetur i pajetë pranë liqenit të Shkopetit 23-vjeçari Renis Dobra.
REPLIKA ka siguruar foton e viktimës, ndërsa dyshimet e para të hetuesve flasin për një vrasje të qëllimshme.
Në trupin e të riut janë konstatuar shenja të qarta dhune fizike. Në zonën e fytit janë vënë re mavijosje të theksuara, që sipas ekspertëve mund të jenë shkaktuar nga mbytja me litar.
Dyshohet se viktima është mbytur fillimisht dhe më pas është inskenuar hedhja në ujë.
Denoncimi për zhdukjen e të riut u bë mbrëmjen e kaluar nga babai i tij, i cili njoftoi Policinë e Matit pasi djali nuk ishte kthyer në banesë. Pas disa orësh kërkime, forcat e policisë gjetën trupin pa jetë pranë liqenit të Shkopetit.
Hetimet janë fokusuar tek e shkuara e të riut. Dobra kishte jetuar për disa kohë në Gjermani dhe ishte kthyer në Shqipëri së fundmi. Kjo ka shtuar dyshimet se e kaluara e tij jashtë vendit mund të lidhet me ngjarjen tragjike. Aktualisht po verifikohet nëse i riu ka pasur ndonjë problem me ligjin në Gjermani apo nëse ka qenë i përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal, përfshirë trafikun e drogës apo rrjete të tjera kriminale që veprojnë edhe në Shqipëri.
Ndërkohë, po verifikohen edhe kontaktet që ai ka pasur gjatë ditëve të fundit, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, për të kuptuar nëse vrasja lidhet me ndonjë prapaskenë kriminale.
Renis Dobra nuk ka pasur precedentë penalë të rëndë në Shqipëri, përveç disa rasteve të vjetra të vjedhjes, për të cilat ka qenë i dyshuar nga policia e Matit.