Tronditet Hollivudi! Aktori legjendar Gene Hackman gjendet i vdekur së bashku me gruan dhe qenin e tyre

Aktori i njohur Gene Hackman është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Santa Fe, New Mexico, së bashku me bashkëshorten e tij, pianistja Betsy Arakawa, dhe qenin e tyre.

Lajmi u konfirmua nga Sherifi i Qarkut Santa Fe, Adan Mendoza, i cili bëri me dije se ende nuk dihen rrethanat e vdekjes dhe po kryhen hetime për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gene Hackman, i lindur më 30 janar 1930, ishte një nga aktorët më të mëdhenj të Hollivudit, me një karrierë që zgjati mbi gjashtë dekada. Ai fitoi dy çmime Oscar: një si aktori më i mirë për rolin e tij në “The French Connection” (1971) dhe një tjetër si aktori më i mirë në rol dytësor për filmin “Unforgiven” (1992).

Aktori ishte gjithashtu i njohur për rolet e tij në filma të tillë si “Bonnie and Clyde” (1967), “The Poseidon Adventure” (1972), “The Conversation” (1974) dhe “Superman” (1978), ku luajti rolin e Lex Luthor.

Pas tërheqjes nga aktrimi në vitin 2004, Hackman iu përkushtua shkrimit të romaneve. Ai lë pas tre fëmijë nga martesa e tij e parë. Hetimet për vdekjen e tij dhe të bashkëshortes janë ende në vazhdim.