Tronditëse! Nëna planifikon vrasjen e vajzës 12-vjeçare. E tradhton ekzekutuesi

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Rusi, pasi një nënë është arrestuar nën akuzën e përpjekjes për të vrarë vajzën e saj 12-vjeçare, duke porositur një vrasës me pagesë. Ngjarja ka ndodhur në rajonin e Chelyabinsk, ku autoritetet kanë zbuluar planin mizor në kohë dhe kanë arritur të shmangin tragjedinë.

Gruaja, e identifikuar si Svetlana, 46 vjeç, kishte kontaktuar një të njohur të saj – një burrë 36-vjeçar me emrin Andrei – të cilit i ofroi shumën prej 1,100 euro për të mbytur vajzën e saj në një lumë. Ajo e justifikoi këtë vendim duke thënë se ishte “e lodhur” nga sjellja e vajzës dhe konfliktet e vazhdueshme që kishte me të.

Por plani i saj mori një kthesë të papritur. Andrei vendosi të mos kryente aktin, por përkundrazi e informoi vajzën për rrezikun që i kanosej dhe e ndihmoi të fshihej. Më pas, ai njoftoi policinë për planin kriminal të nënës.

Falë reagimit të shpejtë të autoriteteve, nëna u arrestua menjëherë dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, duke u përballur me akuza që mund t’i sjellin deri në 15 vite burg. Sipas hetuesve, ajo kishte planifikuar që pagesa të bëhej në dorë pas kryerjes së vrasjes.

Vajza 12-vjeçare është vendosur nën kujdesin e një institucioni social së bashku me dy vëllezërit e saj, të moshës 6 dhe 17 vjeç. Familja ka edhe një vajzë tjetër, 18 vjeçe, për të cilën nuk janë dhënë informacione shtesë.