Tronditen pushuesit, me thikë në dorë në mes të shetitores në Sarandë, arrestohet 32-vjeçari italian
Një ngjarje shqetësuese është regjistruar pasditen e djeshme në qytetin bregdetar të Sarandës, ku një shtetas italian u pa duke lëvizur me një thikë në dorë në shetitoren e mbipopulluar të qytetit, duke shkaktuar panik mes qytetarëve.
Policia njofton se personi është identifikuar si Th. M., 32 vjeç, me origjinë nga Perugia e Italisë, i cili ndodhej me pushime në Sarandë. Ai u vu re nga kalimtarët teksa lëvizte në mënyrë të çrregullt, duke mbajtur në dorë një armë të ftohtë në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit bregdetar.
Forcat e rendit ndërhynë menjëherë pas sinjalizimit të qytetarëve, duke e neutralizuar të huajin pa përdorur forcë të tepërt dhe pa shkaktuar incidente të tjera. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Sarandës bëjnë me dije se 32-vjeçari ishte në gjendje të dehur në momentin e ndalimit dhe dyshohet se mund të ketë edhe probleme të shëndetit mendor.
Ai është shoqëruar në komisariat ku po merret në pyetje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit dhe për të përcaktuar motivet që e shtynë në një veprim të tillë të rrezikshëm.