Tregtarët ambulantë të Laçit në protestë para Bashkisë Kurbin: Na largojnë pa zgjidhje!
Tregtarët ambulantë në qytetin e Laçit protestuan këtë të mërkurë përpara Bashkisë së Kurbinit, pasi u është kërkuar të largohen nga hapësirat ku kishin ushtruar aktivitetin e tyre prej vitesh. Ata kërkojnë një zgjidhje nga autoritetet lokale, duke deklaruar se kanë mbetur pa asnjë mundësi për të siguruar të ardhura për familjet e tyre.
Sipas tregtarëve, vendimi i bashkisë është i padrejtë dhe i menjëhershëm, duke mos ofruar asnjë alternativë tjetër për sistemimin e tyre.
Nga ana tjetër, Bashkia Kurbin, përmes Kryeinspektorit të IVMT-së, Jetmir Mzhika, sqaroi se këta tregtarë nuk janë të formalizuar dhe kanë zaptuar hapësira publike në një zonë ku pritet të nisë një investim për rehabilitimin e përroit të qytetit.
Si zgjidhje, bashkia ka në plan ndërtimin e një tregu të ri, por pa dhënë një afat konkret se kur do të nisë investimi.
Tregtarët qëndruan për disa orë para bashkisë, duke kërkuar një takim me drejtuesit vendorë dhe apeluan për një zgjidhje sa më të shpejtë për situatën e tyre.