Tre vëllezër shqiptarë në qendër të trafikut të kokainës në Itali! Grupi kriminal përdorte një sallon bukurie si bazë operacionale
Policia italiane ka vënë në pranga tre vëllezër shqiptarë, të cilët akuzohen si drejtues të një grupi kriminal që merrej me trafikun e kokainës në zonat midis Pioltellos dhe Rodanos, në Itali. Grupi kishte ngritur një rrjet të mirëorganizuar shpërndarjeje dhe përpunimi droge, duke përdorur si bazë operative një sallon bukurie në Via Veronese.
Hetimet nisën që në janar të vitit të kaluar, kur një parukiere u arrestua pasi në ambientet e sallonit të saj u gjetën katër blloqe kokaine, të fshehura mes kolltukëve dhe lavamanëve për larjen e flokëve. Bashkë me drogën, karabinierët sekuestruan edhe një peshore precize, materiale për paketimin e lëndës narkotike, si dhe pajisje elektronike si kompjuterë dhe celularë që përdoreshin për të menaxhuar porositë dhe kontaktet me klientët.
Sipas hetimeve, droga shitej me pakicë në doza të vogla prej gjysmë grami, me një çmim prej rreth 40 eurosh për dozë. Aktiviteti funksiononte si një tregti e mirëfilltë me fluks të vazhdueshëm klientësh, ndërsa të ardhurat e paligjshme menaxhoheshin përmes dhjetë llogarive bankare të përdorura për të lëvizur paratë.
Pas muajsh hetimesh të thelluara, përfshirë vëzhgime, përgjime dhe dëgjime të personave të dyshuar, autoritetet italiane nxorën një urdhër paraprak arresti për tre vëllezërit shqiptarë, të gjithë rreth të 40-ave, të cilët akuzohen se qëndronin në krye të organizatës kriminale.
Hetuesit konfirmojnë se kjo organizatë kishte ngritur një sistem të konsoliduar trafikimi, që nga furnizimi me lëndë narkotike deri te shpërndarja në zonat përreth. Sekuestrimi i afërsisht gjysmë kilogrami kokainë dhe bllokimi i disa llogarive bankare tregon qartë përmasat dhe vazhdimësinë e aktivitetit kriminal.