Tre ditë në kërkim të të mbijetuarve, Turqia dhe Siria pas tërmetit tragjik

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë me dëshpërim për të mbijetuar në Turqinë jugore dhe në veri të Sirisë pas dy tërmeteve të mëdha të hënën. Më shumë se 8,900 njerëz tani dihet se janë vrarë dhe ka paralajmërime se numri i të vdekurve mund të vazhdojë të rritet.
Përpjekjet e kërkimit kanë vazhduar për një natë të dytë të ftohtë koha po mbaron për shpëtimtarët për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja. Disa ndihma ndërkombëtare po arrijnë në Siri, por aksesi është i kufizuar për shkak të rrugëve të dëmtuara
Ndërkaq kërkimet vijojnë mes shpresës për të gjetur të tjerë të mbijetur në 10 provinca në Turqinë qendrore por disa prej familjeve mendojnë se ata kanë humbur jetën edhe për shkak të të ftohtit ekstrem i cili do të vijojë të jetë i tillë edhe përgjatë 10 ditëve të ardhshme.
Mediat shtetërore turke raportojnë për shpëtimin e më shumë fëmijëve në Turqinë jugore. Ato përfshijnë një vajzë 12-vjeçare në provincën e Malatya e cila u nxor nga rrënojat pas 40 orësh dhe një vajzë 10-vjeçare siriane që u shpëtua nga një ndërtese pesëkatëshe e rrafshuar në provincën e Hatay. Ajo kishte mbetur nën rrënoja për 39 orë. Një tjetër vajzë katërvjeçare u shpëtua në Hataj, 33 orë pas tërmeteve, ndërsa një djalë gjashtëvjeçar u nxor nga rrënojat në Hataj.
Një gjendje e jashtëzakonshme tre mujore është shpallur në Turqi nga presidenti Recep Tayyip Erdogan në 10 provincat më të prekura nga tërmeti. Pas një serie tërmetesh dhe pasgoditjesh në Turqi dhe Siri, shumë u përpoqën të largoheshin nga qyteti i shkatërruar, që ndodhet rreth 33 km nga epiqendra. Me aeroportin dhe shumë rrugë jashtë qytetit të bllokuar, shumë ende nuk mundën të largoheshin dhe u strehuan në qendrat tregtare, stadiumet, xhamitë dhe qendrat e komunitetit. Pas tërmeteve njerëzit e bllokuar përdorën mediat sociale për të kërkuar ndihmë dhe për të përcaktuar vendndodhjen e tyre për shpëtimtarët.
Zemërimi po rritet për një “taksë tërmeti” të vendosur nga qeveria turke më shumë se dy dekada më parë, pas një tërmeti masiv. 88 miliardë lira (4.6 miliardë dollarë) ishte menduar të ishte shpenzuar për parandalimin e fatkeqësive dhe zhvillimin e shërbimeve të urgjencës. Në vitin 1999, më shumë se 17,000 njerëz u vranë në një tërmet të fuqishëm që goditi Turqinë veriperëndimore.
Vendet në mbarë botën po dërgojnë mbështetje për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit, duke përfshirë ekipet e specializuara, qentë dhe pajisjet, duke përfshirë Italinë, SHBA, Izraelin dhe Tajvanin, si dhe një sërë vendesh të tjera.
Gjithashtu edhe më shumë se 140 personel nga marina, ushtria dhe Kryqi i Kuq u nisën me një avion ushtarak nga bazën ajrore ushtarake Santa Lucia, në periferi të Mexico City. Avioni do të dërgojë gjithashtu ndihma humanitare dhe qen kërkim-shpëtim për të ndihmuar në mision. Ndërkaq dy ekipe nga Forca Kombëtare e Reagimit ndaj Fatkeqësive të Indisë, e përbërë nga rreth 100 personel, hypën në një avion teksa do të dërgojnë materiale dhe pajisje emergjente. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit përgatitën ndihma për t’u dërguar në Turqi.
Ndërkaq edhe qeveria e Australisë dhe e Zelandës së Re u zotuan të ofrojnë ndihmë humanitare rajonet e goditura nga tërmeti. Pavarësisht tensioneve të larta politike të viteve të fundit, Greqia ishte ndër vendet e para që nisi drejt Turqisë një kontigjent prej 21 trupash të ekipeve të emergjencës dhe mjete logjistike për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit. I gatshëm për tëndihmuar vendin mik që ka ndërmjetësuar për uljen e tensioneve me Rusinë, u shpreh edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy. 4 avionë me ndihma për trupat e emergjencës dërgoi Rusia, ku përfshien një ekip prej 40 ekspertësh dhe 7 ekipe qensh për zbulimin e trupave nën rrënoja. Edhe qeveria shqiptare nisi drejt Turqisë një mision kërkim shpëtimi për tu ardhur në ndihmë operacioneve që po kryhen pas tërmetit shkatrrimtar.
Nga ana tjetër Gjysmëhëna e Kuqe Siriane u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që të heqin sanksionet ndaj vendit për të lehtësuar përpjekjet e ndihmës. “Hiqni sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Sirisë dhe popullit sirian”, tha Khaled Hboubati, president i Gjysmëhënës së Kuqe Siriane. “Na hapni rrugën. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë përmes vijës së kryqëzuar dhe të dërgojmë autokolona ndihme në Idlib, “u tha ai gazetarëve. “I bëj thirrje Kombeve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Evropian dhe Programit të USAID-it të mbështesin,” shtoi ai. Qeveria siriane mbetet nën sanksione të rënda që synojnë izolimin ekonomik të vendit në përgjigje të shkeljeve gjerësisht të dokumentuara të të drejtave të njeriut që nga fillimi i luftës në 2011.

Gazetare: Livia Kallfa