Transportonte emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës, arrestohet 38-vjeçari në Korçë
DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor “Midnight 26”, kundër transportimit të emigrantëve, për kalim të kundërligjshëm të kufijve.
U kap në flagrancë, duke transportuar kundrejt pagesës, 4 emigrantë, me një automjet që e drejtonte pa leje, vihet në pranga 38-vjeçari.
Sekuestrohen automjeti, 3 celularë dhe një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa që iu gjet me vete të arrestuarit.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë-Elbasan, si dhe të mbështetur të informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 26”.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi D. G., 38 vjeç, banues në fshatin Vishocicë, Devoll.
Shërbimet e Policisë ndaluan në dalje të qytetit të Pogradecit, automjetin tip “Benz” që drejtonte 38-vjeçari. Nga kontrolli në brendësi të automjetit, u panë 4 emigrantë të cilët po transportoheshin kundrejt pagesave, në mënyrë që të kalonin kufirin, ilegalisht.