Transportonte emigrantë në mënyrë të paligjshme, arrestohet 40-vjeçari në Gjirokastër
U kap në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës, 7 emigrantë nga Bangladeshi, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga 40-vjeçari.
Sekuestrohen automjeti, 1 celular dhe një shumë parash.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Attempt 1”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi:
E. M., 40 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor “Tepelenë-Krahës”, në dalje të qytetit të Memaliajt, duke transportuar me automjetin tip “Volkswagen”, kundrejt pagesës, 7 emigrantë nga Bangladeshi, për t’i ndihmuar ata që të kalonin në Kosovë, në mënyrë të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.