Transportonte drogë me postë nga SHBA në Shqipëri, lihet në burg Ilir Sefa


Ilir Sefa është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës për trafikim lëndësh narkotike. Sefa u arrestua pasi u kap duke marrë një pako me drogë e mbërritur nga Shtetet e Bashkuara me postë.

27-vjeçari iu qëndroi deklarimeve të dhëna pas arrestimit duke mos dhënë shpjegime të tjera.

“Drogën nuk e prisja unë. Më tha një djalë që e kam në lagje, me emrin Fabian të shkoja ta merrja tek posta. Nuk e dija çfarë kishte brenda”, ka pretenduar Sefa në deklarimet paraprake.

Ndërsa shtetasi Fabian L. që përmend Sefa, është shpallur në kërkim policor pasi nuk u bë e mundur kapja e tij.

Avokati i tij mbrojtjes, kërkoi masë më të lehte  sigurie si arrest në shtëpi ose arrest në burg me afat, për ti dhënë kohë Prokurorisë që të provojë ose jo dijeninë e të arrestuarit.  Policia u sinjalizua nga posta ku kishte mbërritur porosia, dhe mbajti në survejim se kush do të ishte marrësi.

Droga e sekuestruar kap peshën e 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC.