Transporti, pasagjerët përmes ajrit rriten ndjeshëm, përmirësohen edhe portet

Në tre muajt e parë të vitit transporti i pasagjerëve përmes ajrit ka shënuar rritje të ndjeshme, por sektori nuk ka qenë dhe aq pozitiv sa i përket lëvizjes së mallrave nga ajri.

Ndërsa transporti i mallrave nga Porti i Durrësit është përmirësuar, sipas statistikave të transportit të INSTAT.

Transporti ajror, rritet 53.3% numri i pasagjerëve, ulen mallrat

Në transportin ajror operojnë 17 shoqëri ajrore, nga këto 15 janë shoqëri të huaja dhe 2 janë shoqëri shqiptare.

Gjatë tremujorit të parë 2023, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 45.087 avionë.

Numri i mbikalimeve në hapësirën ajrore shqiptare rezultoi 36.701, duke u rritur me 38,7%, krahasuar me tremujorin e parë 2022.

Volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 449,7 tonë, nga të cilat 77,3% janë mallra të hyrë dhe 22,7% janë mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e parë 2022, volumi i mallrave paraqitet me ulje 6,8%.

Në tremujorin e parë 2023, kanë udhëtuar me linja ajrore 1.166.000 pasagjerë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky tregues është rritur me 53,3%.

Volumi i mallrave të tregtuara (eksport dhe import) me ajër në tremujorin e parë 2023 është 333 tonë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky tregues është ulur me 10,2%.

Volumi i mallrave të importuara me ajër në tremujorin e parë 2023 zë 0,02% ndaj volumit gjithsej të mallrave të importuara.

Transporti detar, me rritje nga Porti i Durrësit

Në Shqipëri operojnë katër porte detare të cilët shërbejnë për transport mallrash: Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë). Porti i Durrësit është porti kryesor në vend, prej të cilit janë transportuar 95,9% e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 1.553 mijë tonë mallra.

Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 14,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Llojet e grup-mallrave kryesore të transportuara me det, sipas klasifikimit NST 2007, për tremujorin e parë 2023 paraqiten si më poshtë:

  • Grupi “Koks dhe produktet e rafinuara të naftës” përbën 20,7 % të mallrave të transportuara me det;
  • Grupi “Metale bazë; produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” përbën 15,5% të mallrave të transportuara nga portet;
  • Grupi i mallrave “Produkte të tjera minerale (jo metalike)” përbën 12,9% të mallrave të transportuar gjithsej nga portet.

Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 194 anije, nga këto 170 anije janë të huaja dhe 24 anije vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është ulur me 9,3%, ku numri anijeve të huaja është ulur me 1,7%, krahasuar me tremujorin e parë 2022.

Portet detare ku kryhet transporti pasagjerëve në vend janë: Porti i Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe porti i Shëngjinit. Lëvizja e pasagjerëve në tremujorin e parë 2023 është kryer nga porti i Durrësit, Vlorës dhe porti i Sarandës.

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare në vend është 138.242 duke shënuar rritje me 13,9%, krahasuar me tremujorin e parë 2022.

Porti i Durrësit është porti kryesor në vend nga i cili kanë udhëtuar 79,5% e pasagjerëve, më pas vjen porti i Vlorës me 15,7%, porti i Sarandës me 4,8%.

Në tremujorin e parë 2023, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import) është 1.291,9 mijë tonë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky tregues është rritur me 5,5%.

Volumi i mallrave të eksportuara me det në tremujorin e parë 2023 zë 44,1% ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara.

Volumi i mallrave të importuara me det në tremujorin e parë 2023 zë 68,3% ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të importuara.