E paprecedent në ndeshjen e kategorisë së dytë, mes Maliqit dhe Delvinës. Trajneri i Delvinës, Markelian Alinani, mungon pas shoqërimit me urdhër të SPAK disa ditë më parë.
Kështu në stadiumin “Jovan Asko” bie në sy se mjeku i ekipit po bën edhe trajnerin. Përveç hyrjes në fushë, kur duhet të japë ndihmë mjekësore, ai udhëzon edhe lojtarët e Delvinës në Kategorinë e Dytë.
Markelian Alinani u arrestua të martën e kësaj jave (4 mars 2025), me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës, si i përfshirë në një grup të strukturuar kriminale që kishte aktivitet në trafikimin e lëndëve narkotike.
Ai edhe bashkëpunëtorët e tij, janë hetuar fillimisht nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila më pas e kaloi rastin për ndjekje nga prokuroria e qytetit jugor. Alinani duket se është një person i preferuar nga kryetari i Bashkisë së Delvinës, Besmir Veli, i cili, pavarësisht precedentëve të mëparshëm penal të ish-futbollistit, i ka besuar drejtimin e skuadrës së futbollit të qytetit.
Arrestimi “i radhës” i Alinanit
Në orët e para të mëngjesit të 4 Marsit 2025, Policia e Shtetit zhvilloi një operacion anti-droge në Sarandë dhe Delvinë.
Burime për mediat bëjnë me dije se janë lëshuar gjithsej 10 masa sigurie për një grup kriminal droge në Sarandë, por deri më tani raportohet vetëm për 3 persona të arrestuar. Mësohet se forcat policore kanë kryer kontrolle në disa banesa, si dhe janë sekuestruar disa celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Mësohet se janë shoqëruar 3 persona në Sarandë, si dhe 9 persona në Delvinë. Në Sarandë është ndaluar Bledar Haderi, me precedentë penale, me masë sigurimi “Arrest në burg”, Gelbert Koshi me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” dhe Dhurim Logli me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Ndërsa dy prej të ndaluarve në Delvinë janë Markelian Alinani, trajner i ekipit “Bistrica”, si edhe Orges Kalo.
Procedimi penal për këtë grup kriminal është regjistruar nga SPAK që në vitin 2020, por më pas i ka kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës, pasi Prokuroria e Posaçme kishte shpallur mos kompetencë.