Tragjedia në Teksas/ 161 persona ende të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese – 109 viktima të konfirmuara
Pesë ditë pas përmbytjeve të furishme që goditën Teksasin, situata mbetet dramatike. Të paktën 161 persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa 109 viktima janë konfirmuar zyrtarisht, shumica e tyre – 94 – në qytetin Kerrville, sipas një deklarate të guvernatorit Greg Abbott.
Mes të zhdukurve janë pesë vajza kampiste dhe një këshilltare nga Kampi Mystic, një qendër pushimi për fëmijë në afërsi të lumit Guadalupe. Përpjekjet për kërkim-shpëtim vijojnë me intensitet, duke përfshirë helikopterë, dronë, si dhe qindra punonjës nga FBI, Garda Kombëtare dhe shërbimet emergjente lokale. Megjithatë, autoritetet pranojnë se shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po zbehen çdo orë e më shumë.
Guvernatori Abbott tha se një “mur uji” 9 metra i lartë goditi zonën pas reshjeve të rrëmbyeshme, duke e bërë pothuajse të pamundur evakuimin në kohë.
“Lëshuam paralajmërime për stuhi, por askush nuk e parashikoi këtë përmasë katastrofe”, tha ai.
Përmbytjet shtrihen edhe në New Mexico
Ndërkohë, përmbytje të rënda janë raportuar edhe në shtetin fqinj, New Mexico, ku banorët në zonën malore të Ruidoso janë paralajmëruar për rrezik të lartë. Disa banesa janë përmbytur dhe ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar banorët.
Vizita presidenciale në zonën e katastrofës
Presidenti Donald Trump ka njoftuar se do të vizitojë zonat më të goditura në Teksas këtë të premte, së bashku me Zonjën e Parë, Melania Trump. Vizita e tyre ka për qëllim të mbështesë komunitetet e prekura dhe të inspektojë nga afër dëmet e shkaktuara nga stuhia vdekjeprurëse.