TRAGJEDIA NË SHKODËR/ Ergys Arrazi, nesër del para gjykatës, vijojnë kërkimet në Bunë për nënën dhe dy fëmijët


Vijojnë në ditën e dytë kërkimet për gjetjen e trupave të nënës dhe 2 fëmijëve, 3 dhe 8 vjeç, në ujërat e lumit Buna në Shkodër.

Bëhet me dije se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i ka bërë një kërkesë zyrtare Forcave të Armatosura që të bashkohen për të dhënë ndihmën e tyre në operacionin e policisë, RENEA dhe FNSH për gjetjen e 3 trupave të pajetë, të cilët dyshohet se janë mbytur në lumin Buna, nënës Alma Arrazi dhe dy fëmijëve të saj.

 

Në këtë operacion pritet të jenë të pranishëm edhe forcat e ushtrisë. Kërkimet po vijojnë në mënyrë intensive në lumin Drin dhe Buna.

Sipas burimeve, një natë më parë ka pasur shkarkime nga hidrocentrali i Vau i Dejës, gjë e cila ka turbulluar ujin duke e bërë më të vështirë gjetjen e trupave të tjerë.

Siç është bërë me dije, një nga fëmijët, vajza 9-vjeçare, u gjet dy ditë më parë rastësisht nga një peshkatar. Sipas policisë, 9-vjeçarja nuk kishte shenja dhune.

Ndërkohë, 31-vjeçari Ergys Arrazi, pritet të dalë nesër në seancën gjyqësore, ku do t’i komunikohet masa e sigurisë.Ai akuzohet nga policia e Shkodrës për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si edhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës. Por, vetë 31-vjeçari e ka mohuar që të ketë ushtruar dhunë.