Tragjedia në Qafë-Burrel/ 29-vjeçari ende nën dhe… Thirrja dëshpëruese e babait: T’i kisha gjetur vetëm një gisht….
Vijojnë pa rezultat kërkimet për trupin e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, i cili mbeti i bllokuar më 3 maj nën një masiv dheu në minierën e kromit në Qafë-Burrel, në kufi me Bulqizën.
Ngjarja ndodhi më 3 maj, në një zonë të thellë dhe shumë të vështirë për akses, ku ndodhen gropa thithëse të shumta dhe rruga është tepër e keqe.
I riu po punonte me fadromë, kur u shemb një masë e madhe stoku kromi që grumbullohej nga përpunimi i mineralit.
Miniera administrohet nga një kompani kineze dhe operohet nga një nënkontraktor shqiptar. Për ngjarjen është arrestuar drejtuesi teknik, Arben Lleshi, 44 vjeç, i cili akuzohet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, pasi nuk ishin marrë masat bazë teknike për të shmangur rrezikun.
Prej ditësh, familjarët e Arditit, së bashku me banorë të zonës, po kërkojnë vetë me mjete rrethanore në mungesë të pajisjeve të specializuara. Babai i të ndjerit ka bërë një apel të dhimbshëm, duke kërkuar ndihmën e shtetit që të paktën t’i kthehet trupi i djalit për një varrim të denjë.
“Të paktën një gisht të ma gjejnë, që të kem ku të vendos një tufë lule”, tha ai mes lotësh.
Familjarët janë shprehur se ndihma shtetërore është minimale dhe se në vendngjarje mungojnë makineritë për të përballuar terrenin e vështirë, ndërsa masivi që ka zënë fadromën mendohet të shtrihet në një zonë prej afro 8 kilometrash.