Tragjedia në Paskuqan/ Ja si paraqitet gjendja shëndetësore e dy të plagosurave

 

Elena Hysa dhe nëna e saj Kujtime Hysa, nënë e bijë që u plagosën sot nga Dan Hutra ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Burime kanë bërë me dije se dy pacientet e plagosura janë në gjendje shëndetësore stabël, koshiente, dhe ndodhen nën trajtimin intensiv nga stafi mjekësor.

Mësohet se autori nuk ka komunikuar me asnjë nga personat që ndodheshin në banesën e ish gruas në Paskuqan. Sapo ka hyrë ka qëlluar me breshëri duke lënë të vdekur kunatën Mevlute Hysa dhe të fejuarën e ish kunatit Hasime Dafku. Pasi i është bllokuar arma, ka plagosur me thikë ish partneren dhe nënën e saj. Autori i ngjarjes kishte pak ditë që kishte dalë nga burgu pasi ish gruaja kishte tërhequr kallëzimin për dhunë ndaj tij.

 

Njoftimi i plotë:

Paskuqan, Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:30, në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Do të ndajmë me publikun foton e autorit të dyshuar dhe mirëpresim çdo informacion për vendndodhjen e tij.

Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.
—-
Ndërkohë, në Kamzë, në rrugën “Besëlidhja”, në rrethana ende të paqarta, në oborrin e banesës, është vrarë me armë zjarri shtetasja Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po punon për identifikimin e autorit/ëve të dyshuar.
Informacion me të detajuar do të japim në vijim.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:15, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spital, shtetasja M. G., 40 vjeçe, e dëmtuar me mjet prerës, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dyshohet se kjo shtetase është dëmtuar me mjet prerës, në zonën e quajtur “Astiri”.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.