Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë e rëndë në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën 51 persona si pasojë e një zjarri shkatërrues në një lokal nate.
Në një mesazh të publikuar, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh “pa fjalë” për humbjet e jetëve njerëzore dhe theksoi rëndësinë e forcës për familjarët e viktimave dhe shërimin e të plagosurve.
“Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme,” – shkroi Rama.
Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në këtë situatë të vështirë, duke i dërguar ngushëllime edhe kryeministrit të sapozgjedhur, Hristijan Mickoski, dhe autoriteteve vendase.