Tragjedia në Maqedoninë e Veriut, ministri i Brendshëm: Të paktën 51 të vdekur dhe 118 të plagosur, shkaku i zjarrit fishekzjarrët skenikë
Numri i viktimave nga tragjedia e rëndë në një lokal nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut ka arritur në të paktën 51 persona të vdekur. Lajmi u konfirmua nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili dha detaje mbi ngjarjen tragjike.
Sipas tij, zjarri shpërtheu rreth orës 02:35 pas mesnate, si pasojë e shkëndijave nga fishekzjarrët skenikë, të cilët ndezën tavanin e lokalit, i cili ishte i mbuluar me material të ndezshëm.
“Janë arrestuar disa persona dhe secili që ka përgjegjësi për këtë tragjedi do të mbajë përgjegjësi para ligjit,” – deklaroi ministri Toshkovski.
Ndërsa Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari ka deklaruar se 118 persona janë shtruar në spitalet e Koçanit, Shtipi dhe Shkupit.
Taravari nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve.
Ai tha se për këtë do të flasë pasi t’i vizitojë të gjitha spitalet në Shkup, Koçan e Shtip dhe bisedojë me mjekët që po i trajtojnë.
Autoritetet vijojnë operacionet e kërkimit dhe po punojnë për të identifikuar viktimat dhe të plagosurit. Ndërkohë, familjarët e të zhdukurve janë mbledhur përpara lokalit, në pritje të informacioneve mbi të afërmit e tyre.