Tragjedia në Maqedoninë e Veriut, Begaj: Ngushëllimet e mia për familjarët e viktimave, lutemi për të lënduarit

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë e rëndë në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku si pasojë e një zjarri në një lokal nate humbën jetën të paktën 51 persona dhe mbi 100 të tjerë u plagosën.

Në një mesazh solidariteti, Begaj u shpreh i tronditur nga humbja e jetëve të reja dhe dëshira e tij është që të plagosurit të gjejnë shërim të shpejtë, ndërsa dhimbja të mos rëndojë më tej mbi qytetin e Koçanit.

“I tronditur nga tragjedia e ndodhur, nga humbja e jetëve të reja dhe lëndimi i shumë të tjerëve nga zjarri i rënë në një diskotekë në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut. Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për familjarët që humbën të afërmit e tyre dhe për të gjithë popullin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit, që të gjejnë shërim të shpejtë e të mos rëndojë më shumë dhimbja në qytetin e Koçanit,” – u shpreh presidenti shqiptar.