Tragjedia e tmerrshme në një klub nate në Koçan të Maqedonisë së Veriut ka marrë përmasa shkatërruese, me bilancin e viktimave që ka arritur në 59 të vdekur.
Mes atyre që humbën jetën është Andrej Lazarov, futbollisti i KF Shkupi, i cili ndërroi jetë në spitalin e Shtipit pasi u ekspozua ndaj tymit të dendur gjatë zjarrit vdekjeprurës. 25-vjeçari, i cili kishte luajtur për ekipe si Metalurg, Rabotniçki, Tikvesh, Rudes, Gorica dhe Shkupi, nuk pësoi djegie të rënda, por nuk mundi t’i mbijetonte pasojave të asfiksisë.

Andrej Lazarov
Një tjetër viktimë e tragjedisë është Filip Stevanovski, drejtori i Qendrës Kulturore të Shtipit dhe një muzikant i talentuar, i diplomuar në xhaz. Ai ishte gjithashtu organizator i Festivalit të Këngës për Fëmijë të Shtipit “Veselo Šturče”, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në kulturën vendase.
Në mesin e të ndjerëve është edhe Gorgi Gorgiev, bateristi nga Strumica, i cili ishte një figurë e dashur në komunitetin muzikor. Kryetari i Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për humbjen tragjike të muzikantit, duke e cilësuar atë si një artist të talentuar dhe njeri me zemër të madhe.
Ndërkohë, ekipet e shpëtimit dhe autoritetet vijojnë punën për të identifikuar viktimat dhe për të hetuar shkaqet e kësaj tragjedie që ka tronditur Maqedoninë e Veriut.