Tragjedia në Filadelfia, 7 të vdekur dhe 19 të plagosur nga rrëzimi i avionit ambulancë! Shkaku i aksidentit ende mister

Filadelfia u trondit nga një ngjarje tragjike të premten mbrëma, kur një avion ambulancë u rrëzua në një zonë të ngarkuar të qytetit, duke shkaktuar 7 viktima dhe 19 të plagosur.

Sipas autoriteteve, avioni i tipit “Learjet 55” u zhduk nga radarët pak pas ngritjes në orën 18:06, duke arritur një lartësi prej vetëm 487 metrash përpara se të rrëzohej rreth 5 kilometra larg Aeroportit Verilindor të Filadelfias. Në bord ndodheshin 6 persona, përfshirë një paciente nga Meksika, nënën e saj dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Fatkeqësisht, të gjithë humbën jetën në përplasjen fatale. Viktima e shtatë ishte një person që ndodhej në zonën ku avioni ra në tokë.

Avioni ishte nisur për në Tijuana, Meksikë, për të kthyer pacienten në shtëpi pas trajtimit për një sëmundje që i rrezikonte jetën. Presidentja e Meksikës konfirmoi vdekjen e qytetarëve meksikanë dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.

Shkaqet e rrëzimit mbeten ende të paqarta, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për menaxhimin e situatës dhe hetimin e ngjarjes.