Ish-ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, është marrë në pyetje nga policia në stacionin e Karposhit në Shkup, në lidhje me tragjedinë në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj dhe rreth 155 të tjerë u plagosën nga zjarri që përfshiu një lokal nate.
Sipas Alsat.mk, Bekteshi po hetohet për lëshimin e licencave të paligjshme për lokalin ku ndodhi tragjedia.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se për këtë ngjarje janë të dyshuar mbi 20 persona, nga të cilët 15 janë shoqëruar në polici.
Mes të shoqëruarve është edhe ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Ekonomisë, Razmina Çekiç nga LSDM. Sipas ministrit Toshkovski, ajo dyshohet se ka falsifikuar licencën e punës për lokalin, ndërkohë që leja e dhënë vitin e kaluar kishte skaduar.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive për tragjedinë e rëndë.