Tragjedia me 59 viktima në Koçan, arrestohen gruaja dhe vajza e pronarit të diskotekës “Pulse”

Hetimet për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 59 persona, po thellohen. Prokuroria Publike ka njoftuar se ka kryer bastisje në Koçan dhe Shkup, duke konfiskuar pajisje elektronike për ekspertizë.

Të hënën, policia arrestoi bashkëshorten dhe vajzën e pronarit të diskotekës, Dejan Jovanov – Deko, duke sekuestruar pesë telefona, të cilët janë ende në duart e hetuesve. Gjithashtu, u bastis edhe një tjetër objekt në pronësi të Jovanovit, si dhe zyrat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Koçan.

Ndërkohë, pronari i diskotekës ndodhet në një spital në Lituani, ku po trajtohet si një nga katër pacientët e dërguar atje pas tragjedisë.

Numri i të dyshuarve për zjarrin katastrofik ka arritur në 34 persona. Hetimet janë hapur ndaj 27 individëve dhe tre personave juridikë, ndërsa shtatë efektivë policorë nga SPB Shtip dhe Koçan janë përfshirë në procesin hetimor. Akuzat e ngritura lidhen me veprat penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Në hetime po punojnë 11 prokurorë nga Shkupi, Koçani dhe Shtipi. Tragjedia ndodhi në orët e para të 16 marsit, kur mbi 650 persona, kryesisht të rinj, po argëtoheshin në diskotekë gjatë performancës së grupit DNK. Një zjarr i madh shpërtheu papritur, duke shkaktuar 59 viktima dhe mbi 190 të plagosur, disa prej të cilëve ndodhen ende në gjendje të rëndë shëndetësore.