Tragjedia me 4 viktima, reagon prefektja e Shkodrës: Alma Arrazi dhe fëmijët e saj një pjesë e dhimbshme e historisë së qytetit tonë
Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni ka reaguar pasi u gjetën trupat e pajetë të Alma Arrazit dhe fëmijëve të saj në lumin Buna.
Ajo ka falenderuar të gjithë ata që u përfshinë në opracionet e kërkimit për gjetjen e trupave, duke filluar nga forcat RENEA e të banorët e zonës dhe policia malazeze.
Reagimi i plotë:
Dua të shpreh shumë mirënjohje dhe respekt për angazhimin dhe përpjekjet e të gjithë ekipit, forcave Renea, Njësisë së Sigurisë Publike Shkodẽr, Policinë e Kufirit, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Policinë kufitare malazeze, peshkatarët dhe banorët e Njësive Administrative Dajç dhe Ana e Malit, të angazhuara në operacionin e kërkimit për gjetjen e trupave të pajetë të mbytur në lumin Buna.
Në këtë moment të vështirë dhe sfidues, ata treguan një nivel të lartë profesionalizmi, vendosmërie dhe solidariteti për të kryer këtë detyrë me sukses dhe me zemër.
Përpjekjet e tyre të palodhura, koordinimi dhe bashkëpunimi i ngushtë mes ekipit u përmbyllën me një rezultat pozitiv në këtë mision më shumë se humanitar.
Falënderoj dhe shpreh mirënjohjen për çdo person të angazhuar 24/24 dhe personel që morën pjesë në operacionin e gjetjes së trupave për 3 ditë-netë dhe kontributin e tyre të çmuar që në këtë çast kontribuon së paku në vendosjen e qetësisë dhe një formë drejtësie për familjen dhe komunitetin tonë.
Faleminderit për angazhimin tuaj të palodhur!
Në këtë ditë të trishtë, ne nuk mund të harrojmë për asnjë moment gjithçka që këto shpirtëra të ndritshme kanë sjellë në jetët tona. Ata ishin më shumë se thjesht individë – ishin një pjesë e komunitetit tonë, një pjesë e familjeve tona, dhe një pjesë e dhimbshme e historisë së qytetit tonë.