Tragjedia e Gërdecit/ Mediut në GJKKO: Ish shefi i shtabit të pyetet me videokonferencë
Në seancën e sotme të zhvilluar ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gjykata e Posaçme administroi deklarimet e dhëna nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Luan Hoxha, në shkurt 2009.
Kjo pasi, në një ndërprerje të seancës, prokurorët e SPAK konfirmuan përmes sistemit TIMS se Hoxha kishte dalë nga vendi në vitin 2012.
Duke e vlerësuar të rëndësishme dëshminë e Hoxhës, i pandehuri Mediu, kërkoi pyetjen e tij përmes video konferencës, por prokurorët e SPAK thanë se nuk kishin një adresë të ish-gjeneralit, i dënuar në procesin e parë të dosjes “Gërdeci”.
Ne të njëjtën seancë, prokurorët nisën prezantimin e provave shkresore, mes të cilave akt-ekspertimin amerikan të shkakut të shpërthimit në Gërdec, akt-ekspertimin ushtarak dhe atë financiar.
Sipas SPAK, shkaku i shpërthimit mund të ishte flaka e shkaktuar nga kontakti i një karroce të saposalduar me thasët e barutit, por edhe mundësi nga mosdorëzimi i çakmakëve në hyrje të fabrikës, apo kontakti i rrotave metalike të karrocës. Sipas akt-ekspertimit ushtarak, demontimi i kalibrave të mëdhenj nuk mund të behej në një distancë të afërt me zonën e banuar, ndërsa akt-ekspertimi financiar llogarisë një kosto prej 59 mln lekësh për transportin, që konsiderohej sipas SPAK, dëm në buxhetin e shtetit.