Tragjedia ajrore në SHBA me 60 viktima, Trump: Helikopteri po fluturonte mbi lartësinë e lejuar

Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në SHBA, kur një helikopter ushtarak Blackhawk dhe një avion civil Bombardier i American Airlines u përplasën pranë Aeroportit Kombëtar “Ronald Reagan” në Uashington, duke shkaktuar 60 viktima, përfshirë pasagjerë dhe ekuipazhin.

Në një deklaratë të bërë në rrjetet sociale, presidenti Donald Trump ka fajësuar lartësinë e helikopterit, duke thënë se ai po fluturonte shumë më lart se kufiri i lejuar.

“Helikopteri po fluturonte shumë më lart se normat e lejuara,” ka shkruar Trump, duke iu referuar rregullores që përcaktonte lartësinë maksimale të fluturimit në zonë.

Sipas të dhënave të regjistruesit të fluturimit, helikopteri kishte kaluar normat e lartësisë dhe u përplas me avionin që po afronte për të ateruar në aeroportin e Uashingtonit.

Zyrtarët ende po punojnë për të zbuluar shkakun e plotë të përplasjes, ndërkohë që ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për trupat e viktimave të mbytur në ujërat e lumit Potomak.