Tragjedi në Teksas! Vdes 9-vjeçarja nga i nxehti, nëna e la të mbyllur në makinë për 8 orë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Teksas, SHBA, ku një vajzë 9-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e temperaturave ekstreme, pasi u la për orë të tëra brenda një makine të mbyllur. Ngjarja e rëndë ndodhi të martën, më 1 korrik, në qarkun Harris.

Sipas autoriteteve lokale, nëna 36-vjeçare e vajzës dyshohet se e ka lënë të bijën brenda makinës për rreth 8 orë, në kohën kur kishte shkuar të punonte një turn të plotë në një fabrikë aty pranë. Nëna, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, kishte lënë dritaret pjesërisht të hapura dhe një shishe me ujë në automjet, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta shpëtuar vajzën nga nxehtësia përvëluese.

Rreth orës 18:00, policia mori një telefonatë për një fëmijë të pandjeshëm brenda një makine të bardhë të parkuar në ambientet e fabrikës. Vajza u transportua me urgjencë në një spital lokal, ku mjekët konstatuan vdekjen e saj.

Sherifi i Qarkut Harris, Ed Gonzalez, në një deklaratë për mediat, u shpreh thellësisht i prekur nga rasti tragjik:

“Jam jashtëzakonisht i mërzitur dhe i zhgënjyer që një vajzë e vogël 9-vjeçare dhe e bukur humbi jetën pa asnjë faj të sajin. Nuk ka kurrë justifikim për të lënë një fëmijë pa mbikëqyrje.”

Hetimet paraprake tregojnë se gjatë gjithë ditës, askush nuk e kishte vënë re vajzën brenda makinës, për shkak se në xhamin e përparmë ishte vendosur një tendë dielli, që e pengonte pamjen nga jashtë. Temperaturat ditën e martë në Teksas arritën rreth 36°C, një nivel potencialisht vdekjeprurës për çdo fëmijë të mbetur në një ambient të mbyllur si makina.