Tragjedi në Teksas! Përmbytje të frikshme marrin 59 jetë, dhjetëra të zhdukur dhe shtëpi të rrëmbyera nga uji

Një katastrofë natyrore e përmasave tragjike ka goditur shtetin e Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përmbytje të mëdha kanë shkaktuar të paktën 59 viktima, ndërsa dhjetëra qytetarë rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas njoftimeve zyrtare të publikuara nga autoritetet lokale, bilanci tragjik pritet të rritet, pasi shumë zona janë ende të pakalueshme dhe ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet në kushte jashtëzakonisht të vështira.

Një video tronditëse e filmuar nga qytetari Gavin Walston mbi një urë në Autostradën Shtetërore 480 është bërë virale në rrjetet sociale. Pamjet dramatike tregojnë momentin kur një shtëpi e tërë merret përpara nga përmbytjet, duke nënvizuar forcën shkatërruese të ujit dhe situatën e jashtëzakonshme që po përjetojnë banorët.

Përmbytjet goditën rëndë edhe Kampin Mystic, një kamp veror për vajza të krishtera, ku ndodheshin rreth 750 persona. Sipas informacioneve nga autoritetet:

-5 vajza kanë humbur jetën,

-27 vajza të tjera janë ende të zhdukura, shumica të mitura.

Fëmijët më të vegjël ishin strehuar pranë bregut të lumit, ndërsa të rriturit dhe fëmijët më të mëdhenj qëndronin në zona më të larta, por furia e ujit përfshiu me shpejtësi gjithë kampin, duke e bërë të pamundur evakuimin në kohë.

Bilanci i viktimave sipas qarqeve është si më poshtë:

-Qarku Kerr: 43 viktima (15 fëmijë dhe 28 të rritur),

-Qarku Travis: 4 viktima,

-Qarku Burnett: 2 viktima,

-Qarku Kendall: 1 viktimë,

-Qarku Tom Green (San Angelo): 1 viktimë, një grua 62-vjeçare.

Guvernatori i shtetit, Dan Patrick, konfirmoi për “Fox News”:

“Numri i të vdekurve tani ka arritur në 59. Fatkeqësisht, presim që ky numër të rritet më tej.”

Operacionet e shpëtimit vijojnë pandërprerë. Ekipet emergjente, të ndihmuara nga helikopterë, varka dhe automjete të posaçme, po përpiqen të arrijnë në zonat më të izoluara, ku ende mund të ketë të mbijetuar që presin ndihmë.

Situata është kritike, me qindra shtëpi të shkatërruara, infrastrukturë të dëmtuar dhe zona të tëra të mbuluara nga uji, ku rreziku nga rrëshqitjet e dheut dhe mungesa e energjisë elektrike shton edhe më tej pasigurinë.