Tragjedi në Teksas në Ditën e Pavarësisë! 24 viktima nga përmbytjet, zhduken 25 fëmijë në kampin veror për vajza

Një tragjedi e rëndë ka goditur shtetin amerikan të Teksasit më 4 Korrik, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, kur përmbytje të menjëhershme dhe shkatërruese shkaktuan të paktën 24 viktima dhe zhdukjen e rreth 25 fëmijëve në një kamp veror për vajza.

Ngjarja ndodhi pranë lumit Guadalupe, i cili doli nga shtrati brenda pak minutash duke përfshirë gjithë zonën përreth. “Brenda 45 minutash, lumi Guadalupe u rrit 26 metra. Kjo ishte një përmbytje shkatërruese, duke përmbytur prona dhe, për fat të keq, duke marrë jetë”, deklaroi zëvendësguvernatori i Teksasit, Dan Patrick.

Kampi i goditur nga katastrofa është Kampi Mystic, një qendër verore për vajza, ku autoritetet besojnë se më shumë se 20 fëmijë janë zhdukur pasi ujërat përmbytën befas zonën.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi përmes një deklarate zyrtare, duke e cilësuar ngjarjen si “tronditëse dhe të tmerrshme”, dhe u shpreh se po monitoron nga afër situatën në Teksas, duke ofruar mbështetje të plotë federale për autoritetet lokale.

Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi është zhvilluar gjatë gjithë natës me pjesëmarrjen e mbi 400-500 personave, 14 helikopterëve, 12 dronëve dhe nëntë ekipeve të shpëtimit në ujë. Rojet e Departamentit të Parqeve të Teksasit janë dërguar në kampin e përmbytur, ku operacionet vazhdojnë nën kushte shumë të vështira.

Ndërkohë, ndërprerjet e mëdha të telekomunikacionit në zonë kanë bërë edhe më të ndërlikuar kontaktin me të zhdukurit dhe banorët e izoluar. Shpresat për të gjetur të mbijetuar mbeten të gjalla, ndërsa familjarët janë mbledhur pranë zonës së kampit në ankth për fatin e të vegjëlve të tyre.