Tragjedi në Shkodër! Ndërron jetë një fëmijë 3-vjeçar 10 minuta pasi mbërriti në spital, motra në gjendje të rëndë, dyshime për meningit ose…
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën, ku një fëmijë 3-vjeçar ka ndërruar jetë dy ditë më parë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa motra e tij 7-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë.
Sipas burimeve, fëmija i familjes Hasmegaj nga Mjeda e Bashkisë Vau Dejës është dërguar me urgjencë në spital mëngjesin e dy ditëve më parë, rreth orës 09:20, me simptoma të rënda si të vjella dhe kollitje. Fatkeqësisht, vetëm 10 minuta pas mbërritjes, ai ndërroi jetë, duke shkaktuar një tronditje të thellë te familjarët dhe stafi mjekësor.
Vetëm disa orë më vonë, edhe vajza e vogël e çiftit shfaqi të njëjtat simptoma shqetësuese. Mjekët e Shkodrës, duke vlerësuar gjendjen e rëndë të saj, vendosën ta transferojnë menjëherë për trajtim më të specializuar në repartin e pediatrisë të QSUT-së. Aktualisht, ajo ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa gjendja e saj shëndetësore raportohet të jetë kritike.
Të gjitha analizat toksikologjike janë kryer dhe janë dërguar në laboratorin e QSUT-së për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe rëndimit të gjendjes së vajzës. Dyshimet e para janë për një helmim, por nuk përjashtohet as mundësia e meningitit. Burime nga spitali bëjnë me dije se vajza 6-vjeçare mund të dërgohet në Turqi për trajtim të mëtejshëm.
Tragjedia ka rënduar edhe më shumë familjen, pasi nëna e fëmijëve, e cila është shtatzënë, ka përjetuar një shok të rëndë pas humbjes së djalit dhe përkeqësimit të gjendjes së vajzës. Ajo është shtruar në spital në Tiranë, ku po merr kujdes të specializuar për shkak të komplikacioneve shëndetësore.
Njoftimi i policisë:
Shkodër
Më datë 21.02.2025, shtetasi S. H. ka dërguar për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. H. dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.
Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit.