Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Koçanit në Maqedoninë e Veriut, ku një zjarr masiv në një lokal nate ka shkaktuar të paktën 50 viktima dhe mbi 100 të plagosur.
Sipas mediave maqedonase, zjarri shpërtheu rreth orës 03:00 të mëngjesit, gjatë një performance të bendit maqedonas DNA, si pasojë e një shpërthimi të dyshuar nga mjete piroteknike të përdorura gjatë koncertit.
Autoritetet kanë arrestuar disa persona të lidhur me organizimin e kësaj feste private, ndërsa Prokuroria Themelore Publike e Koçanit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë shkatërrimin e lokalit, ndërsa familjarë të shumtë janë mbledhur në vendngjarje duke kërkuar informacion për të afërmit e tyre.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
Shërbimet e emergjencës po vijojnë punën për identifikimin e viktimave dhe ndihmën për të plagosurit, ndërkohë që autoritetet pritet të dalin me një deklaratë zyrtare për ngjarjen tragjike.