Tragjedi në Los Anxhelos/ Shkon në 24 numri i viktima nga zjarret shkatërrimtare, mbi 100 mijë të evakuuar

Zjarrfikësit në Los Anxhelos po luftojnë për të shtatën ditë radhazi për të shuar flakët që kanë marrë 24 jetë njerëzish dhe kanë lënë të zhdukur 16 të tjerë. Guvernatori Gavin Newsom e ka quajtur këtë fatkeqësi si një nga më të mëdhatë natyrore në historinë e SHBA-së, me mbi 12,300 struktura të dëmtuara ose të shkatërruara dhe mbi 100 mijë persona të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Erërat e forta, me shpejtësi deri në 112 km/h, pritet të përkeqësojnë situatën deri të mërkurën. Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike dhe thatësira kanë ndikuar në intensitetin e këtyre zjarreve, që sipas një vlerësimi paraprak, mund të shkaktojnë dëme deri në 150 miliardë dollarë. Hetimet mbi shkaqet e zjarreve vazhdojnë, ndërsa qarku me 10 milionë banorë mbetet në alarm për evakuime të mundshme.