Tragjedi në Korenë e Jugut! 24 të vdekur dhe mijëra të evakuuar nga zjarret masive
Zjarret e fuqishme të favorizuara nga erërat e forta kanë përfshirë rajonet jugore të Koresë së Jugut, duke shkaktuar të paktën 24 viktima, mbi 20 të plagosur dhe evakuimin e 27,000 personave. Më shumë se 200 ndërtesa janë shkatërruar, ndërsa flakët kanë djegur 43,330 hektarë tokë.
Një pilot helikopteri humbi jetën të mërkurën, kur mjeti i tij u rrëzua gjatë përpjekjeve për të shuar flakët në Uiseong, një nga zonat më të prekura.
Ndër viktimat janë edhe katër zjarrfikës dhe punonjës qeveritarë që mbetën të bllokuar nga flakët në Sancheong. Autoritetet dyshojnë se disa nga zjarret mund të jenë shkaktuar nga gabime njerëzore, si ndezja e barit të thatë pranë varrezave familjare apo shkëndijat nga pajisjet e saldimit.
Zjarret kanë shkatërruar një tempull budist të lashtë në Uiseong, përfshirë dy struktura të shpallura “thesare shtetërore”. Në qytetin Cheongsong, si masë paraprake, 500 të burgosur u zhvendosën nga një qendër paraburgimi.
Qeveria ka ngritur në nivelin më të lartë alarmin për zjarret, duke urdhëruar mobilizimin e forcave shtesë, kufizimin e hyrjeve në pyje dhe pezullimin e stërvitjeve ushtarake me municion të vërtetë.