Tragjedi në Gjermani! Avion rrëzohet mbi kompleks banimi, ka viktima

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në landin e North Rhine-Westphalia në Gjermani, ku një avion i vogël është rrëzuar mbi një kompleks banimi, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.

Sipas raportimeve të para nga gazeta gjermane Rheinische Post, avioni ka goditur fillimisht fasadën e një ndërtese dhe më pas është përplasur në oborrin e saj, ku shpërtheu në flakë.

Mes viktimave ndodhet edhe piloti i avionit, i cili sipas informacioneve kishte planifikuar të ulej në aeroportin e qytetit fqinj Mönchengladbach.

Megjithatë, mendohet se një defekt në motor e ka detyruar të devijojë kursin, duke përfunduar tragjikisht me rrëzimin e avionit.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar forca të shumta të emergjencës, përfshirë zjarrfikësit, policinë dhe ekipet mjekësore të shpëtimit, të cilët po punojnë për të menaxhuar situatën dhe për të zbuluar shkaqet e sakta të aksidentit.