Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku tre të mitur kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.
Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50, kur pllaka e ndërtesës së braktisur është shembur papritur, duke i zënë poshtë tre fëmijët. Zëdhënësi i policisë ka konfirmuar se trupat e pajetë të viktimave janë nxjerrë nga rrënojat me ndihmën e fqinjëve.
“Njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në vendngjarje, por fatkeqësisht, personeli mjekësor konstatoi vdekjen e tre të miturve në vend,” njoftoi policia.
Dy nga viktimat janë identifikuar, njëri 16 vjeç dhe tjetri 14 vjeç, ndërsa mosha e viktimës së tretë ende nuk është konfirmuar. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa prokuroria është informuar dhe po bashkëpunon me organet kompetente për veprimet e mëtejshme.