Tragjedi në fabrikën e drithërave në SHBA, 38-vjeçari mbetet i bllokuar në furrë dhe humb jetën

Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në SHBA. Një punëtor 38-vjeçar, Nicolas Lopez Gomez, humbi jetën në mënyrë të tmerrshme në fabrikën e drithërave Glister Marylee në Missouri, pasi mbeti i bllokuar brenda një furre industriale.

Sipas informacioneve paraprake, Gomez po pastronte pjesën e jashtme të furrës kur në rrethana ende të paqarta përfundoi brenda saj. Kolegët e tij, të tmerruar nga ajo që ndodhi, njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës, por përpjekjet për ta shpëtuar rezultuan të kota. Ai u nxor pa shenja jete nga furra brenda 20 minutash.

Autoritetet kanë deklaruar se furra nuk ishte aktive në momentin e incidentit dhe nuk ka të dhëna që të sugjerojnë një veprim të qëllimshëm. Megjithatë, natyra e lëndimeve që çuan në vdekjen e punëtorit mbetet ende e paqartë.

Fabrika ku ndodhi ngjarja është ndër furnizuesit kryesorë të drithërave për rrjete të mëdha si Walmart, Sam’s Club dhe Albertsons, duke e rritur edhe më shumë jehonën e kësaj ngjarjeje fatkeqe.

Ky rast vjen vetëm tetë muaj pas një tjetër tragjedie të ngjashme në Kanada, ku një punonjëse 19-vjeçare, Gursimran Kaur, u gjet e pajetë brenda një furre buke në një dyqan Walmart në Halifax. Në atë rast, nëna e saj, e shqetësuar për zhdukjen e vajzës, shkoi vetë në vendin e punës dhe zbuloi trupin e saj të djegur pas hapjes së furrës, pas një rrjedhjeje të dyshimtë që kishte vënë re një punonjës.