Tragjedi në brigjet e Panamasë! Mbytet varka me emigrantë, humb jetën një vajzë 8-vjeçare

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në brigjet e Panamasë, ku një vajzë 8-vjeçare nga Venezuela humbi jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë u mbyt në provincën bregdetare të Gouna Yala. Lajmin e ka konfirmuar agjencia e rojeve kufitare panameze (SENAFRONT) të shtunën, duke shtuar se 20 persona të tjerë janë shpëtuar.

Sipas njoftimit zyrtar, në bord ndodheshin 19 emigrantë nga Venezuela dhe Kolumbia, përfshirë vajzën e mitur dhe dy kontrabandistë që organizonin udhëtimin. Ngjarja ndodhi në pjesën verilindore të vendit, në një zonë të banuar kryesisht nga komuniteti indigjen.

Sipas autoriteteve panameze, shkak i fundosjes së varkës u bë moti i keq dhe dallgët e forta, të cilat çuan në mbytjen e mjetit në det të hapur.

Reagimi ndërkombëtar

Tragjedia ka sjellë reagimin e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), i cili konfirmoi vdekjen e të miturës dhe bëri thirrje për marrjen e masave për të garantuar riatdhesimin e sigurt të emigrantëve.

Rrugët e rrezikshme të emigracionit

Prej vitit 2017, kur ish-presidenti amerikan Donald Trump ndërmori politika më të ashpra për emigracionin, qindra emigrantë nga vendet e Amerikës Latine janë përballur me pengesa të mëdha për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dëshpëruar për një jetë më të mirë, shumë prej tyre kanë zgjedhur rrugë të rrezikshme, duke udhëtuar në këmbë, me autobusë apo edhe me varka, shpesh duke kaluar natën në qendra pritjeje. Kjo tragjedi e fundit shërben si një kujtesë e dhimbshme për rreziqet që përballin emigrantët në përpjekjet e tyre për të siguruar një të ardhme më të mirë.