Një zjarr tragjik ka përfshirë një qendër për të pastrehët në São José dos Campos, në shtetin e São Paulos, Brazil, duke shkaktuar vdekjen e katër personave dhe plagosjen e tetë të tjerëve.
Sipas autoriteteve, në momentin e shpërthimit të flakëve, në qendër ndodheshin 22 persona. Hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri është vënë qëllimisht. Policia ka arrestuar një 42-vjeçar të dyshuar për zjarrvënie, pasi një dëshmitar raportoi se e kishte parë atë duke i vënë flakën një divani dhe më pas duke u larguar nga vendngjarja.
“Fakti që nga hetimet e para duket se ky ishte një akt kriminal, e bën dhimbjen edhe më të madhe dhe rrit kërkesën për drejtësi,” deklaroi në Instagram organizata fetare që menaxhon qendrën.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar motivet e ngjarjes dhe për të vendosur përpara drejtësisë autorin e dyshuar të këtij akti të rëndë.