Tragjedi në Beograd/ Tetë të vdekur dhe shtatë të lënduar nga zjarri në një shtëpi pleqsh, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një shtëpi pleqsh në komunën e Barajevës, në periferi të Beogradit, duke shkaktuar tetë viktima dhe duke lënë shtatë persona të tjerë të lënduar. Ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, rreth orës 03:30.

Sipas Ministrit të Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale të Serbisë, Nemanja Staroviq, 13 persona janë evakuuar nga ndërtesa, ndërsa ka dyshime fillestare se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Shtëpia e pleqve ishte e licencuar dhe përmbushte kërkesat për mbrojtje nga zjarri, tha ministri. Për të mbijetuarit është siguruar strehim i përkohshëm.

Luka Qaushiq, shefi i Departamentit për Situata Emergjente në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njoftoi se në momentin e ngjarjes ndodheshin 30 persona në ndërtesë. Të lënduarit janë transportuar menjëherë në Akademinë Mjekësore Ushtarake dhe Qendrën Emergjente në Beograd.

Një numër i madh zjarrfikësish dhe automjetesh zjarrfikëse morën pjesë në operacionin e shuarjes së flakëve, duke ndërhyrë me shpejtësi për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit. “Zjarrfikësit janë ende duke monitoruar vendin për të parandaluar ndonjë shpërthim të ri zjarri, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve vazhdojnë,” tha Qaushiq.

Komuna e Barajevës, ku ndodhi ngjarja, ndodhet 30 kilometra në jugperëndim të qendrës së Beogradit. Kjo tragjedi ka tronditur vendin dhe pritet që hetimet e mëtejshme të hedhin dritë mbi shkaqet dhe rrethanat e këtij incidenti të rëndë.