Tragjedi në Alaska, zhduket avioni me 10 persona në bord

Një avion pasagjerësh me 10 persona në bord, përfshirë nëntë pasagjerë dhe një pilot, është zhdukur në Alaska. Avioni ishte nisur nga komuniteti i largët i Unalakleet drejt Nome dhe humbi kontaktin rreth orës 16:00, sipas Departamentit të Sigurisë Publike të Shtetit.

Linja ajrore Bering Air deklaroi se komunikimi me avionin Caravan Cessna u ndërpre më pak se një orë pas ngritjes. Autoritetet dhe ekipet e shpëtimit janë në kërkim të avionit, ndërsa moti i keq dhe dukshmëria e ulët po vështirësojnë operacionet.

“Ekuipazhet janë ende në terren, duke kontrolluar sa më shumë zonë të jetë e mundur,” bëri të ditur departamenti të premten në mëngjes. David Olson, drejtori i operacioneve të Bering Air, konfirmoi se ekipi po punon intensivisht për të mbledhur informacione dhe për të koordinuar ndihmën emergjente.

Departamenti i Zjarrfikësve Vullnetar i Nome po kryen kërkime tokësore rreth Malit të Bardhë, ndërsa për shkak të kushteve atmosferike të vështira, kërkimi ajror është i kufizuar. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të mos organizojnë kërkime private, pasi moti është tepër i rrezikshëm dhe mund të rrezikojë jetën e tyre.

Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit janë ende në zhvillim, ndërsa familjarët e personave në bord janë në pritje të informacioneve të reja.