Tragjedi ajrore në Uashington/ Kush është 19-vjeçari që i shpëtoi vdekjes për shkak të qenit të tij

Një tragjedi ajrore ka tronditur Shtetet e Bashkuara mbrëmjen e djeshme, pasi një avion i American Airlines, që u ngrit nga Wichita, Kansas, u përplas me një helikopter ushtarak dhe më pas u rrëzua në lumin Potomac, pranë Uashingtonit. Të 64 personat në bord humbën jetën, përfshirë 60 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit.

Fatkeqësia ka prekur rëndë botën e patinazhit artistik, pasi në avion ndodheshin të paktën 14 patinatorë, së bashku me anëtarë të familjes dhe trajnerët e tyre.

Një patinator tjetër, Jon Maravilla, i cili ishte planifikuar të ishte në atë fluturim, i shpëtoi fatkeqësisë falë qenit të tij. 19-vjeçari u ndalua në check-in, pasi nuk iu lejua të udhëtonte me qenin e tij. Ai e konsideroi këtë si një mrekulli, pasi nëse do të ishte lejuar të hipte në avion, do të kishte humbur jetën.

Patinazhi artistik amerikan ka konfirmuar se disa anëtarë të tij ndodheshin në bord, duke u kthyer nga Kampionati Amerikan i Patinazhit Artistik, i mbajtur në Wichita nga data 20 deri më 26 janar.

Ndër viktimat janë dy legjenda të patinazhit, Vadim Naumov dhe Evgenia Shishkova, kampionë bote në vitin 1994, të cilët më vonë u martuan dhe u shpërngulën në SHBA për të vijuar si trajnerë. Djali i tyre, Maxim, gjithashtu patinator, ishte gjithashtu në avion, sipas mediave ruse.

Në bord ndodhej edhe një tjetër figurë e madhe e këtij sporti, Inna Volyanskaya, një patinatore e njohur sovjetike.