Tragjedi ajrore në Angli/ Avioni i vogël rrëzohet pak minuta pas ngritjes, tym dhe flakë mbi aeroport

Një incident i rëndë ajror ka tronditur pasditen e së dielës (13 korrik) aeroportin e Southend, në Essex të Anglisë, ku një avion i vogël u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes nga pista.

Sipas autoriteteve britanike, avioni tip Beechcraft King Air B200, me dy motorë dhe me destinacion Lelystad, Holandë, pësoi avari dhe u përplas në një zonë pranë aeroportit duke u përfshirë nga flakët.

Policia lokale ka konfirmuar se ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po bashkëpunon me të gjitha shërbimet emergjente. “Operacionet do të zgjasin për disa orë. U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonën gjatë ndërhyrjes,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë re të dendura tymi të zi që ngrihen mbi aeroport, ndërsa dëshmitarët thonë se kanë parë një “sferë të madhe flakësh” në momentin e përplasjes.