Trafiku i pistoletave nga porti/ Si injoroi polici alarmin e dhënë nga skaneri


Detaje të reja janë zbardhur nga dosja dhe fotot e trafikimit të 2 pistoletave nga porti i Durrësit, që u zbuluan nga policia e Barit. Efektivi i arrestuar i kufirit, injoroi alarmin e skanerit.

Këto janë 2 pistoletat e trafikuara nga porti i Durrësit drejt Italisë të cilat u zbuluan nga policia e Barit.

Rasti është shënuar më 18 shkurt të këtij viti por hetimet për më shumë se 1 muaj të agjencisë së mbikëqyrjes policore, zbuluan përfshirjen e një efektivi të drejtorisë së kufirit dhe migracionit.

Besard Xhaferri u arrestua të premten për shpërdorim detyre pasi për të gjykata ka caktuar masën e arrestit me burg.

Sipas dosjes hetimore dyshohet se efektivi 37 vjeçar ka shmangur qëllimisht procedurat standarde për kontrollin e mjetit me targë AB 042 BH, para imbarkimit në traget.

Ky mjet tip bizark, që përdoret për transport të automjeteve që blihen apo shiten, ishte sinjalizuar nga skaneri në 5 vende, por efektivi i arrestuar nuk e kaloi për kontrolle të detajuara fizike.

Për trafikimin e dy pistoletave, policia italiane e autoritetit portual në Bari ka arrestuar drejtuesin e mjetit ku ishin fshehur armët, 45-vjeçarin Ervis Ujka.

Gjatë muajve janar-mars agjencia e mbikëqyrjes policore ka trefishuar hetimet proaktive për efektivë të dyshuar të implikuar në aktivitete kriminale, në nivele dhe struktura të ndryshme./Euronews