Trafikonin makina luksoze të vjedhura nga Italia në Shqipëri, njëri vëlla arrestohet, tjetri nën hetim

Një rrjet i trafikut të automjeteve luksoze është goditur nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Luxury Cars”. Dy vëllezër italianë janë identifikuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ku njëri është arrestuar, ndërsa tjetri po procedohet penalisht.

Policia e DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, pas hetimeve të kryera, ka vënë në pranga shtetasin D. S., 37 vjeç, ndërsa ndaj F. S., vëllait të tij, ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë.

Hetimet kanë zbuluar se këta dy shtetas trafikonin automjete luksoze të vjedhura në Itali, për t’i sjellë dhe përdorur në Shqipëri. Si rezultat, u sekuestruan dy makina luksoze, një “Audi Q3” dhe një “BMW X6”, me vlerë totale rreth 150,000 euro.

Autoritetet kanë nisur verifikime të mëtejshme për të zbardhur raste të tjera të mundshme të trafikimit të mjeteve të vjedhura nga këta shtetas.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.