Trafikonin kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, Gjykata lë në burg tre të arrestuarit e klanin Çela

Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre persona të arrestuar gjatë operacionit “Icaro.al”. Igli Dervishi, 30 vjeç, Shkëlqim Pashja, 44 vjeç, dhe Ervin Dema, 40 vjeç, do të ekstradohen drejt Italisë, ku akuzohen për përfshirje në një grup kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Sipas SPAK, të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal të lidhur me klanin Çela në Elbasan. Ky grup kontrollonte trafikun ndërkombëtar të drogës dhe vepronte në disa zona të Italisë, duke përfshirë Brescia dhe provinca të tjera të Veriut.

Hetimet kanë zbuluar se grupi drejtohej nga dy vëllezër nga Elbasani, Gerardo (alias Astrit Pashja) dhe Shkëlqim Pashja. Ata udhëzonin një grup të besuar në Itali për të organizuar fazat e trafikut, nga magazinimi deri te shpërndarja e kokainës dhe mbledhja e fitimeve. Fitimet i dërgonin në Shqipëri përmes shoferëve të linjës së autobusëve Brescia – Elbasan.

Operacioni, i cili nisi në vitin 2020, përfshin hetime mbi rreth 40 persona, shqiptarë dhe italianë, të cilët akuzohen për përfshirje në aktivitetet kriminale të shpërndarjes së kokainës në zonën e Lago di Garda.