EMRAT/ Trafikonin drogë, ekstradohen nga Shqipëria në Itali anëtari dhe drejtuesi i dy grupeve kriminale

Dy anëtarë të grupeve kriminale që trafikonin drogë janë ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë. Bëhet fjalë për dy raste, një 40-vjeçar Ardian Sufaj alias Pllumb Sufaj, ndaj të cilit Gjykata e Apelit e Triestes ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale, si dhe “Pengmarrja”.

 

 

Gjatë periudhës 2022-2023, organizata kriminale ku bënte pjesë 40-vjeçari, dyshohet se ka trafikuar rreth 100 kg lëndë narkotike kokainë, nga Ekuadori, me qëllim shitjen në Itali.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se për shkak se kësaj organizate i ishte vjedhur një sasi lënde narkotike kokainë, 40-vjeçari në bashkëpunim me të tjerë, kanë marrë peng një shtetas, duke e kërcënuar me armë, për t’iu dhënë informacion mbi vjedhjen e lëndës narkotike.

Ndërkohë, drejt Italisë është ekstraduar edhe një 56-vjeçar, Artur Ademi alias Artur Liçaj, të cilit Gjykata e Leçes i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e grupit kriminal.

Gjatë periudhës 2018-2019, ka drejtuar një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kokainë, nga Holanda në Itali dhe nga Shqipëria në Itali.