Trafikonin armë nga Kosova në Shqipëri, arrestohen 2 persona, sekuestrohen 8 pistoleta

Policia e Kukësit ka goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri.

Dy shtetas kosovarë janë arrestuar në flagrancë, ndërsa në automjetin e tyre janë sekuestruar 8 pistoleta që dyshohet se do të shiteshin në vendin tonë.

Njoftimi i Policisë:

Kukës/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”.

Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, me qëllim shitjen.

✔️ Sekuestrohen 8 armë zjarri (pistoleta).

✔️ Arrestohen 2 shtetas kosovarë:

– Sh. Q., 31 vjeç

– A. M., 46 vjeç

(të dy banues në Prizren)

Shërbimet e Policisë ndaluan automjetin në vendin e quajtur “Ura e Hasit” dhe gjetën armët e zjarrit të fshehura në makinë. Dyshohet se armët janë futur në territorin shqiptar nëpërmjet kufirit jeshil dhe ishin destinuar për shitje te persona të tjerë në Shqipëri, të cilët po identifikohen.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për hetime të mëtejshme.